TIRANE – Pas përjashtimit për plagjiaturë të këngëtares Ani Çuedari nga festivali i 51-të i RTSH u shtuan zërat se dhe kënga fituese ishte e vjedhur. Sipas këtyre zërave, kënga fituese e kënduar nga Bledar Sejko e Adrian Lulgjuraj, titulluar “Identitet”, është plagjiaturë e një kënge serbe.

Të ftuar dje në spektaklin “E diela shqiptare”, kompozitori Bledar Sejko dhe drejtori i RTSH-së, Petri Beci, mbrojtën origjinalitetin e këngës fituese.

Sejko është shprehur se ndihet tërësisht i qetë dhe nuk e kanë shqetësuar akuzat që qarkullojnë. “Që fëmijë i përmbahem një parimi që gjithçka ta bëj vetë, mirë apo keq”, është shprehur Sejko, duke u shprehur se për të kompozuar këngën është mbështetur tek folku shqiptar.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, bëri thirrje për të mbështetur këngën shqiptare që do të shkojë në Eurosong, të parën këngë rrok, që do të përfaqësojë vendin tonë në këtë eveniment të madh europian.

Sipas akuzave të ngritura në rrjetet sociale kënga “Identitet” është kopjuar nga kënga “Plavi Safir” e këngëtarëve serbë Bajaga & Instruktori. Kënga daton në vitin 1988 dhe ngjashmëria mes dy këngëve është e dukshme. Të dyja këngët janë mbështetur qartësisht në muzikën ballkanike.

Sejko: Kënga me motive të valleve çame e të Tropojës

Në një postim në Facebook, kompozitori Bledar Sejko, përveçse ka falenderuar ata që e kanë mbështetur ka shpjeguar për fansat e tij se nga i ka marrë motivet e këngës me të cilën u shpall fitues.  

“Ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që më keni uruar, jam jashtëzakonisht i lumtur që pas shumë vitesh të miat në muzikë, vlerësohem për herë të parë me çmim të parë. Realisht, për shumë faktorë prisja çmim, por jo të parin. Pjesëmarrja ime si konkurrent në Festivalin e madh për herë të fundit ka qenë në vitin 1992 me “Thunder Ëay”, “Legjenda e Heroit”, ku na vlerësuan me vendin e fundit. Mendoj se i detyrohem dhe asaj pjese të publikut që nuk e ka pëlqyer këngën ose që mendon që unë e kam vjedhur atë, që të bej disa sqarime jo për të vendosur nderin tim në vend si muzikant, por sepse mendoj që puna nuk mbaroi me Festivalin, pasi tani na pret edhe një betejë tjetër, Eurosongu, ku do të na duhet ndihma e të gjithë shqiptarëve dhe këto publikime nuk i bëjnë mirë këtij qëllimi të përbashkët. 

Për këtë më duhet të them: 
1) Për motivet e këngës jam mbështetur në folklorin shqiptar dhe më saktësisht në atë të valleve të Tropojës, të valleve çame dhe disa krahinave të Jugut, gjë që duket qartë nga prezenca e lodrave (daulleve), çiftelisë, zëvendësuar me kitarën, isos së Jugut, zëvendësuar me sektorin e violinave dhe thirrjet e Veriut “hej”, përshtatur për korin. 
2) Kam dëgjuar këngën serbe, të cilën disa shqiptarë po publikojnë: “Plavi safir” 1988 dhe ju them nga njohuritë e mia si kompozitor, që kënga ka një intro, një strofë, një bridge, një refren dhe një mbyllje. Kënga ime nuk ka asnjë nga këto komponentë të ngjashëm me këtë këngë, përveç 3 notave të intros, të cilat me kombinim përsërisin njëra-tjetrën. Ose më saktë, këta shqiptarë duhet më mirë të thoshin që kompozitori serb ka vjedhur 3 notat e para të këngës “Kur bie fyelli e çiftelia”, të kënduar nga këngëtarja jonë e madhe Vaçe Zela. 
Ju falënderoj pa fund të gjithëve për mbështetjen dhe uroj ta kemi nga të gjithë shqiptarët nëpër botë këtë mbështetje, në mënyrë që vendi ynë, edhe pse i vogël, të përfaqësohet sa më denjësisht në Eurosong”.