Deputeti Arbi Agalliu, është i dyti që largohet nga Grupi Parlamentar i PD-së. I pari që u largua ishte Enkelejd Alibeaj.

Lajmi konfirmohet nga vetë Agalliu, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se zhvillimet e fundit politike kanë vendosur në provë secilin prej demokratëve.

Ai tha mes të tjerash se të djathtës i duhet riorganizim, bashkim si dhe distancim ndaj çdo faktori që nuk e përfaqëson atë.

REAGIMI I AGALLIUT
Të nderuar miq, dashamirës e demokratë!
Zhvillimet e fundit politike kanë vendosur në provë secilin prej nesh që jemi pjesë e saj.
Në këto tre vite, pavarësisht përplasjeve të brendshme të cilat krijuan vakuum opozitar ndaj kësaj qeverie të korruptuar dhe model abuzivizmi, personalisht jam përpjekur të bëj maksimumin.
Në politikë, sidomos në vendet e zhvilluara dhe përfaqësuese të demokracisë, koherenca në qëndrime është tepër domethënëse. Fatkeqësisht në realitetin shqiptar kemi politikanë të cilët të bardhës i thonë e zezë, atë që e akuzojnë dhe e shajnë e bëjnë partnerin më të çmuar apo dhe ndryshime qëndrimesh 180° brenda ditës. Në syrin tim, këta janë politikanë që ose kanë probleme dhe halle personale ose janë pupacë të të tretëve. Këta nuk mund kurrsesi të jenë alternativë dhe shpresë për Shqipërinë.
Bazuar në formimin dhe parimet e mia, jam munduar të jem koherent në diskursin dhe qëndrimet që kam mbajtur.
Që në krye të herës kam besuar se tranzicioni politik duhet të përfundojë. Klasa e politikës së vjetër që ka mbajtur peng këtë vend do duhet të largohet. Politikanët e korruptuar, ata të djeshmit dhe këta të sotmit, do duhet të luftohen me çdo mjet sepse janë kanceri i shoqërisë.
Kam besuar dhe besoj se çdo përpjekje për të zhvilluar demokracinë në Shqipëri do duhet të bëhet përkrah aleatëve tanë strategjikë si SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar.
Kam besuar dhe besoj se drejtësia në këtë vend, me gjithë problemet që mund të ketë, duhet të mbështetet pa kushte, sidomos në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kundër krimit të organizuar.
Bazuar në këto parime kam mbajtur edhe qëndrimet e mia përgjatë këtyre viteve. Unë besoj fort se e djeshmja e korruptuar nuk mund të jetë e ardhmja. Sikurse besoj fort se secili prej nesh duhet të jetë i qartë në ndarjen e tij me të keqen dhe me atë që nuk mund të jetë alternativë për Shqipërinë e 2025.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit fatkeqësisht vendosi që partia më e madhe opozitare ti kalojë Sali Berishës, i cili përfaqëson një politikë që nuk përkon me bindjet e mia, përveç problemeve që ka me drejtësinë apo me vendet simbol të demokracisë.
Sot duhet një opozitë larg hijes së korrupsionit dhe që ngjall shpresë për shqiptarët. Fatkeqësisht një grupim apo parti që në lidershipin e saj ka persona me probleme nuk mund të jetë alternativë.
Nisur nga qëndrimet e mia të deritanishme dhe asaj që besoj, shpreh sot largimin nga Grupi Parlamentar i PD.
Demokrat nuk të bën as vula e as logo por qëndrimet dhe parimet, bindjet dhe besimi. Nuk mund të përfaqësojë të djathtën dhe demokratët as ish-sigurimi i shtetit, as ish-sekretarët e partisë dhe rinisë dhe as te indoktrinuarit e tyre.
Besoj fort se të djathtës i duhet riorganizim, bashkim si dhe DISTANCIM ndaj çdo faktori që nuk e përfaqëson atë.