Ministri i Jashtëm gjerman Johannes Vandeful tha se Groenlanda i përket Danimarkës dhe se aleanca e NATO-s mund të zhvillojë bisedime për të forcuar mbrojtjen e saj nëse është e nevojshme.

Deklarata erdhi pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti kërcënimet e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, një perspektivë që ka alarmuar aleatët e NATO-s dhe që ka fituar më shumë peshë pasi Trump zbatoi kërcënimin e tij për të rrëzuar udhëheqësin venezuelian Nicolas Maduro.

Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron të marrë kontrollin e Groenlandës, një ambicie që e shprehu për herë të parë në vitin 2019 gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.

Duke folur me gazetarët në Lituani, Vanderful tha se Gjermania kishte pikëpyetje në lidhje me largimin e Maduros dhe theksoi se populli venezuelian duhet të përcaktojë të ardhmen e vendit të tij përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ministri theksoi gjithashtu se Groenlanda është pjesë e Danimarkës. “Dhe meqenëse Danimarka është anëtare e NATO-s, Groenlanda, në parim, do të jetë nën kujdesin e NATO-s për mbrojtjen e saj. Dhe nëse ka kërkesa të mëtejshme për forcimin e përpjekjeve mbrojtëse në lidhje me Groenlandën, atëherë duhet ta diskutojmë këtë brenda kornizës së Aleancës”, përfundoi Vanderful pa dhënë hollësi mbi natyrën e këtyre bisedimeve.