Dy ditë pas aktit terrorist të dëmtimit të kanalit Ibë-Lepenc në komunën e Zubin Potokut, puna po vijon për rikonstruksionin e tij dhe vënien në punë me kapacitet të plotë. Në këto kushte një pjesë e mirë e veriut të Kosovës vijon të ketë probleme të furnizimit me ujë. Ndaj autoritetet kanë ofruar për të gjithë banorët shërbimin me ujë të pijshëm përmes autoboteve. Sipas njoftimit të lëshuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, furnizimi me ujë me anë të cisternave do të bëhet edhe për gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë Korporata Energjetike e Shqipërisë ka filluar që nga mëngjesi i sotëm të ofrojë sasi energjie për Korporatën Energjetike të Kosovës, për të përballuar situatën e krijuar me njësitë prodhuese të energjisë në Kosovë. Një ditë më parë Policia e Kosovës arrestoi tetë persona si të dyshuar për shpërthimin e së premtes mbrëma, ndërsa sekuestroi edhe një arsenal të madh armësh në veri.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në konferencën për shtyp tha se sulmi ishte i mirë-organizuar nga ato që i cilëson si organizata terroriste. Sulmi u dënua me herët edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi atë si terrorist dhe të dirigjuar nga Serbia. Kanali mbi 40 kilometra i gjatë furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.