Prefektura e Qarkut Durrës Adrian Gurra zhvilloi një takim me kreun e Myftinia e Durrësit, Redin Quku, ku u theksua rëndësia e dialogut dhe bashkëpunimit me komunitetet fetare në funksion të harmonisë dhe bashkëjetesës.
Në postimin e Prefekturës në rrjetet sociale thuhet se, gjatë bashkëbisedimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira institucionale, ndërsa u bë me dije se në ditët në vijim do të zhvillohen takime edhe me përfaqësues të tjerë fetarë për të forcuar më tej bashkëpunimin.
Postimi i plotë:
Sot patëm kënaqësinë të prisnim në një takim z. Redin Quku, Kreu i Myftinisë së Durrësit.
Bashkëbisedimi ynë u zhvillua në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes institucioneve tona.
E kemi çmuar shumë të rëndësishëm dialogun e vazhdueshëm me komunitetet fetare, të cilat kanë një rol të çmuar në forcimin e harmonisë, solidaritetit dhe bashkëjetesës në shoqërinë tonë. Përvoja ime e mëparshme institucionale më ka bindur se bashkëpunimi i hapur dhe korrekt është çelësi i një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe produktive.
Prefektura e Qarkut Durrës do të vijojë të jetë një derë e hapur për të gjitha komunitetet fetare, në funksion të forcimit të dialogut ndërinstitucional dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Në këtë kuadër, javën e ardhshme kemi planifikuar takime me të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, me synimin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të konsoliduar më tej frymën e harmonisë që karakterizon qarkun tonë.





