Nga të dhënat operative të APD mësohet se në dy javët e para të vitit tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim janë preferuar nga 36.529 udhëtarë me 7.740 autovetura gjithsej.

Numri i udhëtarëve me tragete nga Durrësi është normalizuar, pas kthimit masiv të bashkëatdhetarëve nga festat e fundvitit pranë familjeve. 

Të shtunën u nisën me tragete 1.888 udhëtarë me 355 autovetura, ndërsa këto ditë numri i tyre ka ardhur në rënie.

Numri i atyre që janë larguar nga porti i Durrësit me tragete në periudhën 1-14 janar arrin në 29.144 me 6.453 autovetura gjithsej, ndërsa kanë mbërritur në Durrës 7.385 udhëtarë të tjerë me 1.287 autovetura.