Në dy ditët e para të vitit 2025, është vënë re një rënie e ndjeshme e fluksit të hyrjeve në pikat kufitare të vendit, ndërkohë që numri i daljeve është rritur ndjeshëm ne krahasim me hyrjet.

Gjatë 24 orëve të fundit, nga Greqia drejt Shqipërisë kanë hyrë 1897 shtetas, ndërsa nga Maqedonia e Veriut kanë hyrë 1947 shtetas. Nga ana tjetër, në pikën kufitare të Kapshticës, numri i shtetasve që kanë dalë nga vendi drejt Greqisë ka arritur në 3670, ndërsa drejt Maqedonisë së Veriut janë regjistruar mbi 2600 dalje.

E njëjta situatë paraqitet edhe pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, ku vetëm ditën e djeshme janë regjistruar 10 200 shtetas që kanë kaluar nëpërmjet kësaj pike.

Rritje të numrit të udhëtarëve pritet të ketë edhe në portine Durrësit, ku mbrëmjen e sotme janë në plan për t’u nisur drejt porteve italiane tre tragete.

Burime zyrtare bëjnë me dije se rritja e daljeve lidhet me rikthimin e qytetarëve shqiptarë që kanë festuar fundvitin në atdhe dhe po kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Ndërkohë, fluksi i ulët i hyrjeve është tipik për këtë periudhë pas festave të fundvitit.