Tiranë, 6 korrik 2014 – Nevila Omeri, vajza e rritur në fshatin SOS, që arriti të bëhej poseduese e 100 milionë lekëve si fituese e “Big Brother 7”, ka postuar këtë foto në profilin e saj në “Facebook” me mamanë e saj.
Ajo shkruan se nëna është gjëja me e shtrenjtë që ka, por fansat e kanë kritikuar duke aluduar dhe për një lloj shtirjeje nga ana e saj në “Big Brother”, duke e shitur historinë e saj të jetës më tragjike nga ç’mund të ketë qenë në të vërtetë. Përveç dyshimeve që Nevila mund t’i ketë pasur marrëdhëniet të mira dhe të afërta me nënën e saj gjithë kohës, ka nga ata që janë shprehur se e ëma i afrohet Nevilës pikërisht tani që ajo s’ia ka shumë nevojën, pasi ka fituar shumën e konsiderueshme të parave.
Gjatë lojës, 20-vjeçarja bëri përshtypje për historinë e saj prekëse, se si ajo, dy motrat dhe vëllai kishin përfunduar në jetimore, pas ndarjes nga jeta të babait dhe braktisjes nga e ëma. Sipas rrëfimeve të Nevilës, nëna e braktisi që kur ajo ishte foshnjë, pasi nisi jetë të re në Itali, ndërsa bashkëjeton me partnerin e saj.
/panoramaplus/





