Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George H.W. Bush, është shtruar në spital në Houston për shkak të një infeksioni, menjëherë pas funeralit të bashkëshortes së tij Barbara.
Zëdhënësi i ish-Presidentit, Jim McGrath, shkroi në rrjetet sociale se 93-vjeçari Bush po “u përgjigjet trajtimeve dhe duket se po shërohet”. Ai është pranuar të dielën në spitalin Methodist të Houstonit, pas një infeksioni që u përhap në gjak, tha McGrath.
Barbara Bush, u varros të shtunën në një ceremoni në të cilën morën pjesë i shoqi, dhe ish-Presidentët Bill Clinton, Barack Obama, George W. Bush dhe bashkëshortet e tyre si dhe zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Bushi plak, përdor një karrocë dhe një skuter elektrik për të lëvizur për shkak të sëmundjes së Parkinsonit dhe i është nënshtruar trajtimit në spital disa herë gjatë viteve të fundit për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
George Herbert Walker Bush, shërbeu si Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1989 deri në vitin 1993.
I lindur më 12 qershor të vitit 1924, në Milton të Massachusettsit, ai shërbeu edhe si ligjvënës, drejtor i CIA-s dhe nënPresident i Ronald Reaganit. /VOA