Lojtari i Barbastros, Israel Garcia priti fërshëllimën e fundit të arbitrit të ndeshjes kundër Barcelonës, që t’i propozonte për martesë të dashurës së tij përpara tribunës së tifozëve. Mesfushori 26-vjeçar, i cili ka luajtur vetëm në kategoritë e ulëta të futbollit spanjoll, përjetoi një nga ditët më të rëndësishme dhe të bukura të jetës së tij.

Fillimisht luajti kundër gjigantëve katalanas të Barcelonës dhe pas fërshëllimës së fundit i propozoi për martesë të dashurës së tij. Menjëherë pasi përfundoi ndeshja, Garcia iu afrua partneres së tij, u ul në gjunjë dhe i propozoi.“Po”-ja e shumëpritur erdhi me shumë duartrokitje nga fansat e ekipit të Barbastros, të cilët edhe pse ndeshja kishte përfunduar, qëndruan në vendet e tyre për të shijuar momentin e bukur të çiftit.