DURRËS, 3 prill 2014 – Një ekip amerikan u ka tërhequr veshin drejtuesve të portit më të madh të vendit për sa i përket sigurisë në anije dhe port, kjo ka qenë dhe një nga arsyet që drejtori ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës Selim Belortaja, me cilësinë e kryetarit të Komitetit të Sigurisë në Anije dhe në Porte, të thërriste mbledhjen e radhës me Komitetin e Sigurisë në Anije dhe në Porte.
Të pranishëm në takim ishin anëtarët e saj, përfaqësues të autoritetit shtetëror të sigurisë portale; forcës së sigurisë së Portit; drejtorisë ekzekutive të APD-së; policisë kufitare dhe emigracionit; doganës; kapitanerisë dhe Rojës Bregdetare.
Sipas njoftimit për shtyp, Belortaja ka kërkuar rritjen e parametrave të sigurisë brenda territorit të portit, sipas kërkesave të ISPS Code (International Ship and Port Facility Security).
Anëtarët e Komitetit kërkuan bashkërendim, me qëllim mbarëvajtjen e mëtejshme të punës sa u përket kritereve të sigurisë në territorin e Portit të Durrësit, i cili duhet të jetë në nivelet e parashikuara në vendet e rajonit e më gjerë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





