Pas interpelancës në seancën parlamentare të ditës së enjte, të thirrur nga deputetjae PD Ina Zhupa, ministri i kulturës Blendi Gonxhja ka reaguar edhe në rrjetet sociale lidhur me projektin TID Durrës.

Ndërsa thekson rëndësinë që ka ky projekt për “riqendërzimin e zonës arkeologjike, për ta kthyer atë në një motor të ri zhvillimi për të gjithë qytetin, duke kriijuar një park të madh arkeologjik urban” ministri Gonxhja publikon edhe foto nga transformimi i qendrës historike të Durrësit, pas zbatimit të projektit.

Në postim, ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit shprehet se Integrimi i Amfiteatrit Antik në një park arkeologjik modern, restaurimi i shtëpive tradicionale, rivitalizimi i hapësirave publike dhe krijimi i një modeli të ri mikpritjeje dhe orientimi për vizitorët janë dëshmi e punës së kujdesshme dhe të pandërprerë për t’i sjellë Durrësit dinjitetin që i takon si destinacion mesdhetar.”

Projekti TID Durrës, i hartuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe bashkia Durrës, është shoqëruar 3 muajt e fundit me reagimin e fortë të 74 familjeve durrsake që preken nga aplikimi i tij.

Përmes protestave të shumta të zhvilluara në Durrës dhe Tiranë, por edhe përmes proceseve gjyqësore në Gjykatën Administrative, përfaqësuesit e këtyre familjeve kanë kërkuar pezullimin e projektit, sepse nuk janë dakord me vlerat e shpronësimeve dhe selektimet kolektive siç i cilësojnë ata.

Projekti parashikon prishjet e banesave dhe bizneseve të 74 familjeve durrsake në zonër pranë Amfiteatrit dhe përgjatë bulevardit “Epidamn”.