Kryeministri Rama, vite më parë, fiksohej në këtë foto ku duket se është duke i treguar kryebashkiakut të atëhershëm Vangjush Dako një projekt që kishte në mendje. Sot kësaj fotoje mund t’i bashkohen edhe Lefter Koka e Rrahman Rraja

Mbase që atëherë Rama e kishte ndarë mendjen të bëhej deputet i Durrësit, po a e kishte menduar kryeministri që ky qark që e votoi aq bindshëm 2 vite më parë do ta turpëronte kaq shumë?!

Një ish-ministër pas hekurave, një ish-kryebashkiak dhe mik i kryeministrit po prapë pas hekurave dhe tani një deputet që jep dorëheqjen, sepse familjarët e tij rrëmbyen shkopat e bejsbollit dhe armët për t’i dhënë një mësim dy 45-vjeçarëve, që kishin guxuar dhe i kishin denoncuar në polici.

Rrahman Rraja vërtet se mori asnjëherë fjalën në sallën e Kuvendit, gjatë 6 viteve që shërbeu si deputet i qarkut të Krujës, por ama direktivën e kryeministrit për t’i bërë filmimet vetë pa pasur media të pranishme e kishte përvetësuar mirë.

Madje dhe pasi bëhen filmimet, ato duhet të publikohen se ndryshe ç’kuptim ka nëse nuk i sheh askush dhe nuk kupton sesi është të ecësh përpara me forcën e hurit!

Jo më kot ne si popull kemi ca shprehje perlë lidhur me dajakun si psh: “Dajaku ka dalë nga xheneti!” ose “Kush të rreh, të do!”

Partia e dëshmoi këtë me Lefter Kokën dhe Vangjush Dakon, që pasi i shtrydhi mirë në zgjedhje i çoi në një njëjtën qeli për të folur për bëmat e tyre, kur ishin në pushtet.

Atë që nuk e bëri në vitin 2018 me deputetin Rraja, kur i biri i tij Rexhepi u akuzua nga një vajzë për përdhunim, zyra kryeministrore e bëri sot me letrën e dorëheqjes, të kopsitur bukur. Ndryshe nga rasti Gjici kur letra u shkrua në kohë rekord, për Rrajën u prit 24 orë, megjithëse vëllezërit dhe djali i tij shfaqeshin me hu dhe pistoletë si organizatorë dhe ekzekutorë të dajakut.

Rrahmani ksihte dështuar si prind me Rexhepin që vite më parë, por mesa duket partia mendoi se i duhej dhe një mandat tjetër në Kuvend për të intensifikuar dhunën dhe pastaj të tërhiqej nga jeta politike.

E ndërsa Rrahmanit i shkroi dorëheqjen, zyra kryeministrore e gjeti të udhës të mos shkruante dy letra dorëheqje brenda ditës, por më mirë të reagonte duke shkarkuar ministrin e brendshëm Blendi Çuçi.

Çuçi është kryqëzuar disa herë në media për situatat skandaloze në rradhët e policisë dhe ato që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, por përherë kishte arritur të mbijetonte në post.

Këtë herë, dajaku i Rrajave i hëngri kokën.

Në këto dy vite si deputet, qarku që ai zgjodhi vetë duke braktisur Vlorën s’po e lë të qetë kryeministrin.

Apo mos ndoshta vetë ai i ka ndjellur këto situata kur shqiptonte shprehjen e tij të famshme: Kokat hëngshin!

Pas Kokës, Gjushit dhe Rrajës, sinoptikanët kanë paralajmëruar ditë të nxehta…

M.B.