I rrethuar nga miqtë e tij të letrave dhe jo vetëm, shkrimtari Bashkim Hoxha promovoi në qytetin e tij romanin më të fundit “Marsi i marrë”.
Vepra më e fundit e penës së publicistit dhe gazetarit të njohur është publikuar fillimisht në Kosovë, ndërsa tani vjen edhe në duart e lexuesve shqiptarë nga shtëpia botuese “Jozef”.
Ky roman nuk është thjesht një metaforë e stinës së marsit, por një eksplorim i thellë i mekanizmave të shoqërisë. “Marsi i marrë” nuk flet për të “çmendurit”, por për mënyrën se si shoqëria i etiketon dhe i përjashton ata që nuk i kupton. Në thelb, është një roman ekzistencial me ndërtim postmodern, që sfidon kufijtë e normales, gjë që u nënvizua edhe gjatë fjalës së njerëzve të letrave, që e kanë lexuar tashmë veprën.
“Marsi i marrë” është një vepër me identitet të fortë dhe një gjuhë të përmbajtur, që ruan tensionin pa rënë në teprime. Një roman që nuk të jep përgjigje të lehta, por të detyron të reflektosh.
M.B.





