Babai i Meghan Markle, Thomas, ndonëse nuk ka marrëdhënie të mira me të bijën, nuk i ka kursyer urimet e përzemërta ndaj nipit të porsalindur, i cili është futur si i pari fëmijë me gjak afro-amerikan në familjen britanike mbretërore.

“Zoti e bekoftë fëmijën”– u shpreh 74-vjeçari në një deklaratë për shtyp. “Jam më se i lumtur që si nëna, ashtu edhe fëmija, janë mirë.” “Urimet e mia shkojnë për vajzën time të dashur, dukeshë Meghan dhe për princin Harry. Zoti e mbrojttë mbretëreshën!”- vijoi më tej ai.

Në njoftimin zyrtar të Pallatit të Sussex-it, përmes së cilit u dha lajmi i shumëpritur për lindjen e fëmijës një javë më vonë nga ç’ishte parashikuar, Thomas Markle nuk u bë pjesë ashtu sikurse ish-bashkëshortja e tij Doria, e cila aktualisht ndodhet në shtëpinë e çiftit mbretëror në Windsor.

Kujtojmë se vitin e kaluar, Thomas Markle supozohej ta shoqëronte Meghanin në altar, por diçka e tillë nuk ndodhi. Sipas njoftimit zyrtar, ai duhej të fokusohej asokohe në çështjet e shëndetit. Ndërsa në intervistën e tij të fundit për “Good Morning Britain”, ai u shpreh se e bija është tejet kontrolluese si karakter.

Ish-drejtori i ndriçimit në filmat e Hollywood-it, nuk është treguar kurrë diplomatik nëpër intervista ku është pyetur për të bijën. Madje ai është prononcuar publikisht edhe për pallatin britanik mbretëror, duke e konsideruar si një shtëpi për gra të kontrolluara nga burrat.