Itali, 5 shtator 2014 –  Familja Hoxha, emigrante në qytezën e San Dona-s, në provincën e Venetos, u përball me një tragjedi të rëndë. Djali i tyre, Julian Hoxha, vetëm 15 vjeç, u mbyt në një kanal të lundrueshëm (në foton kryesore) jo larg qytezës.

Ai po udhëtonte së bashku me një shok më të vogël në moshë, kur i rrëshqiti këmba dhe ra në kanal. Fatkeqësisht nuk arriti të dalë i gjallë nga uji.

Biçikleta tip mountain bike e Julianit mbeti buzë kanalit deri rreth orës 14.00 të ditës së tragjedisë. Më pas u zhduk.

Nëna e Julianit, si edhe dy motrat 10 e 17 vjeçare, bëjnë apel t’u kthehet bicikleta e Julianit të ndjerë, sepse për to ajo nuk ka thjesht vlerë monetare, por është një kujtim i vyer i të dashurit të tyre, që nuk jeton më.

Besohet se këtë të dielë trupi i Julianit do të dërgohet në Shqipëri, ku edhe do të prehet përgjithmonë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/