Dy lëkundje të reja sizmike regjistrohen në Durrës gjatë orëve të pasdites, por fatmirësisht kanë pasur itensitet të ulët. Lëkundja e parë, me epiqendër detin Adriatik, 16 km larg Kepit të Rodonit, është regjistruar në orën 16.33 dhe ka pasur manjitudë 2.3.

Ndërkohë, lëkundja e dytë, me epiqendër po prapë në detin Adriatik, afër Hamallajt, është regjistruar në orën 16.49 dhe ka pasur manjitudë 2.4.

Këto janë lëkundjet e para që regjistrohen në Durrës gjatë ditës së sotme, ndërkohë që një ditë më parë, shumë prej banorëve të qytetit bregdetar i kaluan orët e para të mëngjesit zgjuar, prej disa lëkundjeve që pasuan njëra-tjetrën dhe ku më e forta ishte 3.8 ballë. Tërmeti i fundit i regjistruar në Durrës gjatë ditës së mërkurë ishte ai i orës 05.01 me manjitudë 2.7.

Që nga dy lëkundjet e frikshme të pasdites së të shtunës, 5.8 dhe 5.5 ballë, nëntoka e Durrësit nuk ka ndaluar së dridhuri, për shkak të pasgoditjeve të tërmetit.

Dy lëkundjet e fuqishme të datës 21 shtator lanë pasoja të rënda pas, sepse 82 banesa dhe një pallat janë shpallur të pabanueshme, ndërkohë që 111 banesa dhe biznese në qytetin e Durrësit dhe njësitë administrative kanë pësuar dëmtime të mëdha.