Kryeministri Edi Rama ka zbuluar mesditën e sotme se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën për të vaksinuar mësuesit. 

“Ne jemi shumë krenar që po ndihmojmë edhe Kosovën. Më çoi një mesazh Albin Kurti duke më falenderuar që meqë ata morën vaksina dhe do vaksinojnë mjekët, sot dëshironte që ne të ndihmonin për mësuesit. Po i thashë patjetër. Ne do i japim ato që duhen që të vaksinohen mësuesit e Kosovës, sigurisht. Si bëhen këto me llafe? Duke fjetur gjumë? Ndërkohe që ne jemi në mes të kësaj finaleje dhe e shikojmë dritën e atje,” deklaroi Rama.

Nga Rrogozhina, Rama tha se duke qenë se Kosova mori vetë vaksina për mjekët, kryeministri Kurti i ka kërkuar ndihmë për mësuesit.

Kujtojmë se, në Kukës nisi disa ditë më parë vaksinimi i mjekëve të Kosovës pasi vendi nuk kishte marrë ende asnjë vaksinë anti-Covid. Por, me marrjen e 24 mijë dozave nga AstraZeneca, mjekët në Kosovë do të vaksinohen me to dhe nuk do të vijnë më në Kukës.