Gazetari Andrea Giambruno, ish-partneri i kryeministres Giorgia Meloni, do të largohet nga programi televiziv “Diario del Giorno”, që transmetohet në kanalin televiziv Rete 4.

Në një deklaratë për shtyp “Mediaset” sqaron se gazetari i njohur do të vijojë të kontribuojë për emisionin, por do të punojë prapa kuintave. Në deklaratë thuhet se vendimi është rënë dakord mes drejtuesve të kompanisë dhe Giambrunos, i cili ndjen keqardhje për veprimet dhe sjelljen e tij.

Javën e kaluar një tjetër program televiziv satirik që trajton çështje aktuale në “Mediaset” transmetoi pamje ku shfaqej Giambruno duke përdorur gjuhë seksiste ndaj një kolegeje dhe duke flirtuar me të.

Të premten e javës së kaluar vetë Meloni njoftoi në rrjetet sociale se lidhja e saj me gazetarin, e cila zgjati gati dhjetë vite, tashmë kishte përfunduar.