Pacientët kosovarë të me radioterapi, do të mund ta vazhdojnë këtë trajtim në Shqipëri, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
Që nga 6 korriku, pajisjet për radioterapi në Kosovë janë jashtë funksionit, ku si pasojë e reshjeve të shiut është përmbytur bodrumi i Klinikës së Onkologjisë.
Edhe pse nuk është bërë e ditur se nga kur mund të nisin pacientët me kancer të marrin shërbimet e radioterapisë në Shqipëri, sipas njoftimit të MSH-së, ministrja Orgerta Manastirliu ka thënë se Shqipëria gjendet pranë Kosovës.
“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhr Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër.
Në njoftim thuhet se po bëhet plani i përbashkët i punës në nivel teknik për ta mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Onkologjia në Kosovë me mundësitë e shërbimit në Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaciteteve të shërbimit.
Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.
Brenda 24 orësh, aty marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës. /REL