Pasi janë analizuar pamjet dhe provat e grumbulluara n vendngjarjen e aksidentit tragjik në Maminas të Durrësit është arritur në konkluzionin se ngjarja është aksidentale. Grupi hetimor ka përjashtuar mundësinë e një vrasjeje të mundshme.

Në konkluzionet e tij, grupi hetimor është bazuar edhe në pamjet filmike të kapura nga kamerat e sigurisë së karburantit, ku ndodhi aksidenti.

Rezulton se shkak i aksidentit është goditja nga pas e taksisë që drejtohej nga 60-vjeçari Bujar Agalliu nga Benz-i që drejtohej nga 32-vjeçari i shpallur në kërkim policor Fatjon Zhaporja, nga Rragami i Tropojës, me banim në Tiranë.

Karburanti ka patur funksionale 2 nga 4 kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar vetëm përplasjen e taksisë me tabelën e çmimeve në pjesën e jashtme të tij.

Parakalimi i gabuar nga Fatjon Zhaporja dhe rruga e dëmtuar janë përcaktuar si shkak i aksidentit.

Ekspertët kane konkluduar se Zhaporja ka qenë me shpejtësi skëterrë mbi 200 km në orë dhe ka goditur nga pas në parakalim e sipër taksinë ku udhëtonte Bujar Agalliu taksist dhe pasagjere 23-vjeçarja Avdillari. 

Grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se viktima 23-vjeçare nuk ka asnjë lidhje me Fatjon Zhaporen, autorin e aksidentit dhe ish-pronarin e mjetit Dardan Gjeka.

23-vjeçares nga Kombinati ju gjet një biletë në çantë për të udhëtuar me linjën Durrës – Bari. Zyrtarisht grupi hetimor ka bërë me dije se vajza është paraqitur në port, por nuk ka shkuar në pikën kufitare për t’u imbarkuar në traget. 23-vjeçarja nuk është paraqitur para sportelit të policisë kufitare për të vulosur pasaportën.

K.H.