TIRANË, 25 korrik 2013 – Pas marrjes me koncesion të terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit, pas shkatërrimit që iu bë kantierit detar, tani turqit i mbushën mendjen kryeministrit në detyrë deri në shtator 2013 Sali Berisha t’i japin edhe rafinerinë e Cërrikut.

Sikurse njofton zyra e shtypit e qeverisë shqiptare, në mbledhjen e 24 korrikut 2013, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, durrsakut Florjon Mima, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kontratës së koncesionit të formës “ROT” (Rehabilitim – Operim – Transferim), të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë turke “Kurum International”, sh.a., për rehabilitimin e rafinerisë së Cërrikut, rrethi Elbasan.

Bie në fakti se 6 muaj më parë, me Vendimin Nr. 54, datë 23.1.2013, Sali Berisha miratoi bonusin prej tri pikësh për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik, që i jepet konsorciumit të shoqërive “DAST” sha. Durrës, “DELTA” sha Durrës dhe “S.T.N.P.M” shpk Tiranë (shih faksimilen dhe linkunwww.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/7-2013.pdf).

Kundrejt një investimi prej mbi 50 milionë eurosh “Kurum”-i, synon të rikthejë uzinën në parametrat bashkëkohorë brenda 18 muajve. Kapaciteti i përpunimit do të jetë 500 mijë tonë. Për këtë koncesion ishte ofruar edhe bashkim kompanish shqiptare “Delta, Dast dhe STNPM”. Por kjo ofertë synon një vlerë më të vogël investimi rreth 18 milionë euro dhe një kapacitet më të ulët përpunimi me vetëm 150 mijë tonë.

Kompania turke e metalurgjikut të Elbasanit fitoi edhe tenderin për shitjen e katër hidrocentraleve, Ulëz, Shkopet dhe dy Bistricat.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, ministri në ikje i Mbrojtjes Arben Imami ka përdorur dhe rafinerinë.

Arben Imami, një nga anëtarët më të përfolur të kabinetit Berisha për korrupsion me pronat e ushtrisë dhe trafik ndërkombëtar armësh, deklaroi:

“Ne kemi ide të qarta për Cërrikun, ky qytet që u ndërtua si qytet industrial e ka një të ardhme si një qytet industrial, ne jemi në procedura që rafineria të futet në punë sa më shpejt. Ka perspektivë ka të ardhme, sepse ne e kemi parapërgatitur këtë të ardhme. Ne gjatë gjithë këtyre viteve e kemi shtuar dhe shumëfishuar prodhimin e naftës në Shqipëri, ka shumë kompani të huaja të cilat sot nxjerrin mbi një milion tonë naftë, e cila duhet të përpunohet, qoftë për këtu qoftë për eksport, prandaj kjo traditë kjo përvojë veçanërisht e banorëve të Cërrikut, është e vlefshme për mirëqenien e Cërrikut edhe më gjerë”.

Info/

Ndërtimi i uzinës së përpunimit të naftës në Cërrik filloi në vitin 1952, u përurua në vitin 1956 dhe prodhonte 500 tonë në ditë; në vitin 1957 prodhonte 800 tonë në ditë;  në vitin1961, pas rikonstruksionit, prodhonte 1500 tonë në ditë; prodhimi vazhdonte të rritej gjithmonë. Ka pasur lidhje me hekurudhë. Prodhonte gazoil, benzinë, vajguri, mazut, bitum të lëngshëm kryesisht për eksport nëpërmjet portit të Durrësit, ku u ndërtua një terminal i posaçëm, i pajisur më linjë hekurudhore. Po me trena bitumi çohej në Përrenjas për eksport në ish-Jugosllavi. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës kishte importuar vagonë të posaçëm për transport bitumi të lëngshëm.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/