Policia greke ka arrestuar 11 persona dhe lëshuar urdhër ndalimi për 26 të tjerë si përgjegjës për protestat e dhunshme të organizuar ditën e djeshme në Greqi. Greekreporter shkruan se mes të arrestuarve janë edhe 3 minorenë, një me shtetësi shqiptare, njëri më shtetësi rumune dhe një tjetër me shtetësi italiane.

Dhuna, bombat molotov e zjarri kanë shoqëruar protestat e grekëve në 9-vjetorin e vrasjes së Aleksis Grigoropulos. Mediat vendase shkruajnë se lagjja “Eksarhia” digjet nga dhuna.

Antiqeveritarët pas demonstratës në qendër u drejtuan në rrugën ku u vra Grigoropulos dhe sulmuan me bomba molotov edhe gazetarët. Policia largoi gazetarët e kameramanët që u rrezikuan seriozisht. Por episode dhune kanë ndodhur në gjithë Greqinë si në Kretë, Iraklio, Larisa, Selanik.

Aleksandros Grigoropulos, humbi jetën nga dhuna e policisë gjatë protestave në kryeqytetin grek 9 vjet më parë.

Forca të mëdha policie kanë rrethuar Athinën, e cila është në mjegull për shkak të shiut të molotovëve.

Grigoropulos ishte vetëm 15 vjeç kur u qëllua për vdekje nga një patrullë policie mbrëmjen e 6 dhjetorit 2008.