29nëntor 2015 – Pas protestave të djeshme në Prishtinë, të shoqëruara me arrestimin e ish-kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, qeveria kosovare reflekton mbi ndarjen e kufijve. “Për ndarjen e zonës kufitare me Malin e Zi, Qeveria ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës”, thuhet në komunikatën për shtyp.

Nga ana tjetër, qeveria përshendet mbarëvajtjen e protestës së partive opozitare, të mbajtur më 28 nëntor 2015, në Prishtinë. “Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, çmon lartë sjelljen e qytetarëve të Prishtinës dhe tërë Kosovës, të cilët vazhduan aktivitetet e tyre kremtuese për nder të Festës së 28 Nëntorit.

Qeveria vlerëson se askush, andaj as opozita, nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, por çdonjëri duhet të ballafaqohet me të. Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, çdo përpjekje për të përdorur këto procese të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë, për qëllime politike e partiake, është e papranueshme.

Numri i kufizuar i pjesëmarrësve në protestën e 28 Nëntorit, në krahasim me parashikimet e opozitës, edhe përkundër shpenzimeve të mëdha për transportin e siguruar nga të gjitha anët e vendit, flet se shumica dërmuese e qytetarëve kërkojnë zgjidhje institucionale të problemeve, stabilitet të vendit, paqe, zhvillim ekonomik dhe siguri, e jo anarki për qëllime të një grupi të ngushtë politik”.

/portali DurresLajm/