Koreja Veriore, që kishte alarmuar ushtrinë e saj më 15 gusht, ka thënë se do të presë edhe pak për lançimin e raketave në territorin amerikan, pasi shefi i Pentagonit, Jim Matiss, ka paralajmëruar se një hap i tillë, “shumë shpejt” mund të përshkallëzohet në luftë. Në një deklaratë të prezantuar nga agjencia zyrtare e lajmeve të Penjanit KCNA, lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka udhëruar ushtrinë e tij të jetë e gatshme në çdo kohë për nisjen e raketave, mirëpo ka thënë se do të përcjellë se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara edhe për një kohë, përpara së të marrë ndonjë vendim.

“Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë të parat që kanë nisur një numër të pajisjeve bërthamore afër nesh, duhet të marrin vendimin e duhur dhe të tregojnë përmes veprave se kanë vullnet për uljen e tensioneve në gadishullin korean, në mënyrë që të evitohet ndonjë përplasje ushtarake e rrezikshme”, është cituar të ketë thënë Kim, nga agjencia e lajmeve KCNA.

Një fjalim i tillë nga lideri verikorean, erdhi vetëm pak kohë, pas sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, u ka thënë gazetarëve në Uashington se SHBA-ja është e gatshme të marrë masa ndaj çdo rakete të nisur në territorin e saj, duke e cilësuar një hap të tillë si akt të luftës.

“Në rast se lançojnë raketë drejt SHBA-së, kjo mund të përshkallëzohet shumë shpejt në luftë”, ka thënë ai.

Matiss ka thënë se sistemet e vëzhgimit të raketave në SHBA, mund të përcaktojnë nëse ndonjë raketë është nisur nga Koreja Veriore drejt tokës amerikane.

Koreja Veriore ka thënë gjatë javës së kaluar se është duke planifikuar lançimin e katër raketave në ishullim Guam, territor amerikan në Oqeanin Paqësor.

Mattis ka theksuar se beson që dy kombet duhet të rregullojnë mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore rreth zhvillimit të sistemit të raketave balistike dhe armëve bërthamore të Koresë Veriore. /Rel/