Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka pritur në takim Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
Takimi mes presidentit dhe ambasadorit vjen pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Soreca i ka dorëzuar Metës progres raportin me rekomandimin pozitiv për Shqipërinë.
“Presidenti mirëpriti rekomandimin e përsëritur të KE që Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, me shpresën që ky rekomandim të marrë edhe miratimin e vendeve anëtare”,- thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit te Presidencës.
Ndërkohë, Meta uroi gjithashtu për fitoren e forcave pro-europiane gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian, duke shtuar se është inkurajim për vendet të cilat aspirojnë BE.





