Pas shkarkimit të prefektit Çesk Millja ditën e shtunë, sot ka shkuar në Shkodër në rolin e koordinatorit për të menaxhuar situatën, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili shoqërohej nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Teksa inspektoi nga afër situatën, Lamallari pohoi se shkuan në terren për të parë nëse ishin marrë masat e nevojshme në kuadër të situatës kundër COVID-19, ku u ndalën në tregun e Zdrales, i cili u kthye në ‘mollë sherri’ mes bashkisë dhe Prefekturës.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, drejtori i Policisë, Veliu pohoi se situata është e vështirë, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat. Ai theksoi se shtimi i rasteve me këtë virus në Shkodrës, tregon se të gjithë duhet të tregojnë kujdes.
“Situata është e vështirë dhe ne jemi në terren. I bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë të gjitha masat dhe rregullat e vendosura. Shtimi i rasteve në Shkodër duhet të na bëjë me të kujdesshëm të gjithëve”, tha Veliu.
Edhe zv/ministri apeloi që bizneset dhe qytetarët të tregojnë kujdes.





