Fuqia e erërave të uraganit Irma kanë rënë lehtë nga 295 në 270 km/h, por stuhia e kategorisë së pestë, një ndër më të fuqishmet e regjistruara ndonjëherë, vazhdon të godasë pa mëshirë çdo gjë në rrugën e saj.
Së fundmi, uragani Irma ra mbi ishujt Turks dhe Caicos pasi mbolli shkatërrim në mbarë Karaibet e vrau të paktën 14 vetë.
Pasi rrafshoi Barbudën dhe pjesë të St. Martin, Irma kërcënon ishujt Bahamas me përsëritje të skenarit të ferrit dhe ngritje të nivelit të detit deri në 6 metra mbi normalen. Frika për jugun e Floridës po shtohet gjithmonë e më shumë. Trajektorja e uraganit po lëviz duke e vendosur Majemin në pozicionin më të keq të mundshëm.
E gjithë ajo zonë, sipas metereologëve, mund ta gjejë veten këtë fundjavë në syrin e stuhisë, edhe pse disa prej modeleve kompjuterike e projektojnë lëvizjen e uraganit më tepër në skajin perëndimor, çka jep një farë shprese se një pjesë e rajonit mbase do të kursehet nga një tërbim maksimal i motit.
Autoritetet, megjithatë po përgatiten për më të keqen.
“Pavarësisht se në cilin breg të Floridës jetoni, përgatituni për evakuim. Shtëpitë mund t’i rindërtoni, por jetën nuk e ktheni dot",- deklaroi të enjten guvernatori i këtij shteti, Rick Scott.