·        Zëvendës drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD sha Artjan Qirici: Transportuesve do t’u kthehen diferencat e mbajtura arbitrarisht

DURRËS, 9 prill 2014 –  Investigimi i “Dyrrah”-ut për aplikimin arbitrar të një tarife pa lejen e organeve kompetente shqiptare, ka detyruar koncesionarin gjerman-shqiptar të Terminalit të Trageteve AFTO, të kërkojë jo vetëm falje, por edhe ta anulojë tarifën e t’u kthejë transportuesve diferencat.

Më 5 prill 2014, Dyrrahu ka botuar investigimin me titull “Durrës. Koncesionari, tarifë… pa leje (!) në terminalin e trageteve”. Në të thuhet se “në Shqipëri të huajt mund të vendosin tarifa… pa leje! Edhe pse me shkresë, qysh më 14 shkurt 2014, u bë e qartë se “AFTO nuk mund të aplikojë asnjë tarifë të re apo të ndryshuar, për të cilën nuk nënshkruhet marrëveshje dhe nuk ndiqen hapat” përkatës, menaxheri gjerman i Terminalit të Trageteve (AFTO shpk) z. Simon Alexander Harm bën ligjin, duke shpërfillur me arrogancë sovranitetin e shtetit shqiptar me penalizmin ndaj  agjentëve të tjerë privatë në port duke aplikuar një tarifë deri 4 herë më të lartë! Në muajin mars 2014 “Dyrrah” mësoi se operatorëve privatë që kërkojnë shërbime për përpunim ngarkesash me leftarak (vinç pirun) në terminalin e trageteve, u dashur të paguajnë një tarifë prej 500 lekë për një paletë (shih faksimilet nr. 2 dhe 3). Sipas verifikimeve që u bënë nga “Dyrrah”-u, kjo tarifë nuk figuron në librin përkatës të APD-së, të miratuar dhe me Udhëzimin e përbashkët nr. 581/1, datë 6.2.2013 “Për përcaktimin e tarifave të shërbimit në Autoritetin Portual Durrës” të Ministrisë së Financave dhe [ish-] Ministrisë Punëve Publike dhe Transportit [sot Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës]”. (shih faksimilen dhe linkun: http://durreslajm.com/investigim/durres-koncesionari-tarife-pa-leje-ne-terminalin-e-trageteve.

Një përmbledhje e këtij shkrimi u botua më 6 prill në të përditshmen “Sot”. Ndërkaq, për shkak se APD-sha nuk ishte prononcuar për shkrimin, më 8 prill 2014, “Dyrrah”-u i kërkoi me e-mail drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë publike / shtetërore APD sha z. Selim Belortaja informacion nëse ishte ndërmarrë apo jo ndonjë hap ligjor lidhur me faktet e parashtruara në shkrim. Po atë ditë, erdhën dy përgjigje (shih faksimilet). 

PËRGJIGJE NR. 1

Z. Qirici, i ngarkuar prej meje të diskutojë situatën e “boshllëkut tarifor” lidhur me përdorimin e lefterakut ne Terminalin e Pasagjerëve, ka gjetur një akord të përkohshëm (derisa të miratohet një tarifë speciale) –përdorimin e së njëjtës tarifë që përdoret për operacionet “mbi bord” të anijes edhe në punët jashtë bordit, pra edhe në shesh. Për këtë Porti natyrisht do të faturojë përqindjen përkatëse.

Lutem bisedoni direkt me zotin Qirici.

Selim Belortaja

PËRGJIGJE NR. 2

Lidhur me informacionin që Agjencia e Lajmeve “Dyrrah” ka kërkuar, ju bëjmë të ditur si më poshtë:

Në kuadër të rishikimit të aplikimit të tarifave të të gjitha shërbimeve, prej të cilave dhe ajo që kërkoni të informoheni, APD rekomandoi AFTO-n të aplikojë tarifën, e cila është në librin e tarifave të vitit 2013 të miratuar me Udhëzimin Nr. 581/1, datë 6.2.2013 “Për përcaktimin e Tarifave të shërbimit në Autoritetin Portual Durrës„ në Kapitullin 2  pika 3.11/b “Dhënia me qira e lefterakut të Portit në terminalin e trageteve për përpunimin e mallrave në bord të anijes„ njësi/orë ose pjesë e saj 24 euro.                                                                                                         

Për sa më sipër AFTO nuk mund të aplikojë asnjë tarifë të re apo të ndryshuar .

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

Zyra e shtypit e APD sha.

QIRICI: GJERMANI KËRKOI FALJE

Më datën 9 prill 2014 “Dyrrah”-u mori takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë publike / shtetërore të APD sha Artjan Qirici (në foto), i cili bëri të ditur se në zyrat e kësaj drejtorie ka ardhur më 8 prill 2014 menaxheri i AFTO-s, i cili ka kërkuar falje për aplikimin pa leje të tarifës dhe ra dakord të rikthehet në tarifën 24 euro/ora për lefterakun.

Z. Qirici shpjegoi se masa e marrë ndaj arbitraritetit të koncesionarit është rekomandimi i bërë që Terminali i Trageteve të zbatojë tarifën ekzistuese.

Gjithashtu z. Qirici konfirmoi se koncesionari gjerman-shqiptar do t’u kthejë diferencën e tarifës së paligjshme atyre operatorëve që u është aplikuar tarifa 500 lekë/paleta.

Sipas nr. 2 të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të APD sha, nuk janë shumë raste të aplikimit të tarifës 500 lekë/paleta dhe se është pozitive që koncesionari ka prerë kupon tatimor dhe i ka paguar APD-së përqindjen përkatëse.

Z. Qirici tha se po punohet për rishikimin e tarifave, duke specifikuar edhe një të posaçme për paletat dhe në fund falënderoi “Dyrrah”-un për shkrimin.

/Thanas Mustaqi. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/