Eltin Imeri, punonjësi i policisë ushtarake në Durrës, humb një këmbë na atentati që iu bë mëngjesin e së martës me eksploziv. Ndërsa shprehet se ndihet me fat që është gjallë, 34-vjeçari tregon për gazetën shqiptare se ai nuk ka pasur asnjë problem gjatë detyrës së tij, por e lidh motivin me një ngjarje të ndodhur në Tepelenë në 31 mars. Atëherë, vëllai i tij u përfshi sipas Imerit me dhunë në grabitjen e dy të moshuarve dhe prej asaj kohe nuk janë lënë të qetë.

“Kanë qenë 4 persona të maskuar e të armatosur që grabitën banesën. Një nga autorët ka qenë shoku i vëllait tim, Ervisit. Vëllai sapo ishte kthyer nga Maqedonia kur autori e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që të shkonte ta merrte me makinë. Kur ka shkuar e ka marrë, tre personat e tjerë kanë qenë me maska dhe e kanë kërcënuar me armë vëllain tim që të shkonte ku t’i thoshin ata dhe të mos tregonte asgjë. Më pas ngjarja është zbuluar nga policia, pasi autorët në banesën e të moshuarve kishin lënë makinën dhe çantën me dokumente brenda. Ndërsa, vëllai im është në “Arrest me burg” për moskallëzim krimi. Ai është i pafajshëm në atë ngjarje. Në korrik vëllait tim i është vënë rreth 600 gr tritol poshtë makinës së tij, por fatmirësisht nuk shpërtheu, pasi ai e konstatoi në kohë. Madje, edhe gjatë kohës që ka qenë në burg, persona të ndryshëm kanë tentuar t’i bëjnë keq”, ka rrëfyer Imeri.

Deri tani nuk ka të shoqëruar apo të ndaluar për ngjarjen e rëndë.