I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani u shtrua mbrëmjen e djeshme me urgjencë në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
Por gjatë ditës së sotme, Dumani është kthyer në qelitë e paraburgimit.
Për shkak të statusit të tij të veçantë, Dumani iu nënshtrua një sërë analizash specifike për të parë gjendjen e tij të plotë shëndetësore, pas problemeve që shfaqi me zemrën, me qëllim për të përjashtuar ndonjë tentativë kriminale në adresë të tij.
Analizat paraprake te institutit te mjekësisë ligjore kane përcaktuar se nuk ka përdorur droge apo alkool, por se analizat në rast se është helmuar, kërkojnë një kohë më të gjatë që të dalin.
Duke qenë se nuk ka pasur nevojë për një ndërhyrje, i penduari i drejtësisë është kthyer në qeli.
Dumani qëndroi i shtruar në reanimacion për 24 orë. Ai është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë gjatë viteve të fundit, i angazhuar në zbardhjen e shumë rasteve që lidhen me grupe të strukturuara kriminale dhe ngjarje të rënda në Shqipëri.
Deklaratat e tij kanë qenë thelbësore për SPAK-un në shpërbërjen e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale në vend.





