Deri pak vite më parë nuk njihej as interneti dhe as mediet sociale. Takimet e të rinjve ishin në punë, në shkollë, apo gjatë aktiviteteve të ndryshme.
Sot njohjet bëhen live, nga mediat sociale. Për rininë në qytetet metropol, njohjet janë nga rrjetet sociale, ku hyjnë me celularët personalë dhe prej aty lind dashuria, nëpërmjet aparatit celular duke shkruar apo duke folur. Pothuajse barrierat kanë rënë, për t’u takuar dhe për t’u prezantuar me njëri- tjetrin.
Por si njiheshin përpara 35 viteve çiftet, asokohe, kur më shumë hynte ne mes një mbles për të lidhur të rinjtë në kurorë?
Osman dhe Fatmira Cila kanë 33 vjet martesë. Prindër të dy vajzave të rritura, Osmani ka si profesion teknik ndërtimi, ndërsa Fatmira është ekonomiste. Ata u njohën me mblesëri, por u dashuruan me njëri – tjetrin. Edhe vajzave të tyre u japin të njëjtën këshillë për shokun e jetës.
Ndërsa Tahir Meta nga Peshkopia bënte shkollë agronomie. Ishte 18 vjeç kur u njoh dhe u dashurua me Fitijen 16 vjeçare, e cila ndiqte shkollën.
U martuan një vit më vonë, ndërsa për të kurorëzuar lidhjen duhej mblesi. Prindër të gjashtë fëmijëve, të gjashtë të martuar, gjyshër të lumtur.
Pas 43 vjetësh i rikthehen takimit të parë të dashurisë. Dita e Shën Valentinit, 14 shkurti për çdo vit e më shumë po festohet masivisht edhe në vendin tonë. Madje të rinjtë për këtë ditë mendohen që më herët për të përgatitur edhe dhuratat për njëri- tjetrin. Të shumtë janë qytetarët që në këtë ditë simbolike drejtohen drejt shëtitores bregdetare për të shëtitur, për të pirë kafe apo edhe për një ëmbëlsirë.
Çiftet e reja zgjedhin t’i bëjnë njëri-tjetrit edhe dhurata simbolike, ndërsa pothuajse të gjitha rrugët e Durrsit janë mbushur ditën e sotme me lule, kryesisht trëndafila e karafila, që simbolizojnë edhe pasionin për njeriun e zemrës.
Çiftet e reja, nuk flasin para kamerave, nuk janë aspak të turpshëm, me njëri-tjetrin apo në shoqëri, por syrit të publikut ende nuk mund t’i shfaqen.





