Në prag të zgjedhjeve të parakohshme Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim, të enjten vonë, 31 mars 2016 vendosi të tërheqë të gjithë zyrtarët e saj aktualë nga pushteti ekzekutiv i Republikës së Maqedonisë.

Në njoftimin e BDI-së nuk jepen arsyet për këtë vendim, por në komunikatë thuhet se “në ditët në vijim do të rishqyrtohen politikat e saj”.

Kryesia e partisë, ka autorizuar kryetarin, Ali Ahmeti,“për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim”.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka 5 poste ministrore në qeverinë teknike që drejtohet nga Emil Dimitriev, i cili ka zëvendësuar në këtë post kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin.

Dorëheqja e ministrave të partisë së Ahmetit vjen në kohën e publikimit në media dhe rrjetet sociale të një bisede të përgjuar me përmbajtje erotike mes dy zyrtarëve të lartë të kësaj partie.

Biseda ka nxitur reagime të shumta në opinion, madje edhe në vet partinë, BDI. Nuk ka informacione nëse pikërisht ky skandal ka qenë shkaku i vendimit të Kryesisë partiake.
Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni duhet të mbahen më 5 qershor, ndërsa paraprakisht, më 7 prill, hyn në fuqi vendimi për shpërndarjen e Kuvendit.