Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të takohet gjatë ditës me këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, bëjnë të ditur burime nga Brukseli për Evropën e Lirë.

Sipas këtyre burimeve, në takim do të jetë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky takim i jashtëzakonshëm pason një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të dielën, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic. Sulmuesit janë të kombësisë serbe.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe se ka edhe të lënduar. Më vonë gjatë ditës, tre sulmues u vranë dhe gjashtë persona u arrestuan.