Ish-kryeministri Sali Berisha po jep një deklaratë për mediat pas tensioneve të ditës së sotme të regjistruara në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku deputetët demokratë nuk u lejuan të futen brenda dhe u përplasën me Gardën.

Në një deklaratë për mediat jashtë Kryesisë së Kuvendit, Berisha ka deklaruar se për herë të parë në historinë e Shqipërisë deputetët u detyruan të bëjnë Tarzanin dhe të ngjiten mbi mure, duke komentuar kështu situatën ku disa deputetë demokratë u futën nga dritaret në kryesinë e Kuvendit.

“Situatën kritike që ndodhet në vend tregon frikën e tmerrshme, lepurin e madh që i ka hyrë në bark Ramës dhe organizatës së tij kriminale. Kurrë s’mundet një roje të hyjë në institucion, jo më në zyrën e tij. Deputeti ka të drejtë të hyjë në çdo institucion, kjo ndodhi sot me Ramën i cili në përpëlitjet e tij përpiqet të mbahet zvarrë në pushtetin e tij të krimit.

Sot për herë të parë në historinë e parlamentit, grup deputetësh të PD u detyruan të bëjnë Tarzanin, për të hyrë në zyrën e tyre në Parlament, të ngjiten mbi mure, është skenë unike në mediat e huaja, po qarkullon në të katërt anët e botës. Dëshmi e narkoshtetit dhe regjimit të Ramës të bazuar në krim e drogë”-tha Berisha.