Greqia nuk po gjen qetësi. Pas tërmetesh të fortë shteti helen po kërcënohet nga zjarret masive. Mësohet se një zjarr ka përfshirë ditën e sotme ishullin Evia, afër Athinës, ku kanë mbetur të plagosur tetë persona. Sipas informacioneve të plagosurit janë transportuar për spital dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Zjarri është regjistruar në një pyll të dendur me pisha, të cilat në orët e mbrëmjes janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar shumë zona. Për shkak të flakëve, autoritetet kanë evakuuar banorët e katër fshatrave të bashkive Dhition-Mesapion.
Ndërkohë, situata paraqitet emergjente, kjo ka bërë që Sekretaria e Mbrojtjes së Përgjithshme ka kërkuar ndihmë nga BE për shuarjen e zjarrit.
Aktualisht në zonën ku ka rënë zjarri, ndodhen 300 zkarrfikës, ndërsa janë pezulluar dhe fluturimet e Canadair. Sipas medieve fqinje, tymi i zi ka mbuluar krejt qiellin e Athinës, ndërsa rrezikohet nga flakët edhe zona e populluar e Psahna. Deri më tani, raportohet se janë shkrumbuar fshatrat Makrimali dhe Kontodespoti në ishullin Evia.