Ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur dhjetëra njerëz ende të zhdukur pas tërmetit me magnitudë 7.1 ballë që goditi Tibetin të martën, Qendra e Rrjeteve të Tërmeteve të Kinës raporton se rajoni që atëherë ka përjetuar më shumë se 500 pasgoditje. Raportohet se tërmetet kanë qenë me magnitudë 4.4.

Më shumë se 400 persona të bllokuar nën rrënoja janë shpëtuar, thanë zyrtarët kinezë, por numri i të zhdukurve ende mbetet i panjohur.

Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave ka 1,850 shpëtimtarë në terren, së bashku me zjarrfikës dhe të tjerë. Zyrtarët e qeverisjes vendore thonë se më shumë se 3,600 shtëpi janë shembur dhe 30,000 banorë janë zhvendosur.

Tenda, jorgan, shtretër të palosshëm dhe sende të tjera ndihmash janë dërguar për të siguruar strehim për ata, shtëpitë e të cilëve janë të pabanueshme ose të pasigurta. Zonat përreth epiqendrës kanë një lartësi mesatare prej rreth 4200 metrash dhe temperaturat ranë shumë nën zero gjatë natës.

Mima Ciren, një oficer në Brigadën e Zjarrfikësve të Pyjeve Xizang, tha se ekipi i tyre po vazhdon operacionet e shpëtimit në afërsisht shtatë deri në tetë fshatra. Ekipi po vlerëson gjithashtu dëmet materiale të banorëve të prekur.

“Prioriteti ynë i radhës është të vizitojmë çdo fshat, pasi zona e prekur është mjaft e gjerë. Ne synojmë të kuptojmë situatën e fatkeqësive në çdo fshat dhe të lokalizojmë individët e bllokuar për të ofruar raporte paraprake për ekipet më të mëdha të shpëtimit,” tha Mima.

Byroja lokale e të dhënave të tërmeteve tha se gjatë pesë viteve të fundit ka pasur 29 tërmete me magnitudë tre ose më lart brenda 200 kilometrave nga epiqendra.

Epiqendra e tërmetit të së martës ndodhej aty ku përplasen pllakat indiane dhe euroaziatike. Tërmetet e shkaktuara nga përplasja e pllakave tektonike janë të zakonshme në pjesët jugperëndimore të Kinës, Nepalit dhe Indisë veriore.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA thotë se më shumë se 10 tërmete me magnitudë 6 ballë kanë goditur këtë zonë gjatë shekullit të kaluar.