Pas shumë muajsh thatësire dhe vape që e bëri këtë pranverë të ndjehej si verë, sot ra borë në zonat e Spanjës veriore.

Reshjet e pazakonta të borës për këtë sezon ranë në La Raya, një rajon malor në provincën e Asturias. Breshëri dhe shiu i dendur goditi rajonet mesdhetare të Spanjës, si Katalonja dhe Valencia, ku prej muajsh nuk kishte rënë asnjë pikë.

Që nga fillimi i vitit, Spanja ka përjetuar dimrin më të thatë në histori. Sipas shërbimit meteorologjik AEMET dhe siç transmetohet nga Agjencia e Lajmeve të Athinës, gjatë katër muajve të parë të vitit 2023 sasia e shiut që ra ishte më pak se gjysma e asaj që regjistrohet zakonisht.

Deri tani Spanja ka përjetuar 11 ditë me temperatura më të larta se zakonisht për sezonin, dhe ky numër tashmë është më shumë se dyfishi i ditëve me temperatura jashtëzakonisht të larta të regjistruara në baza vjetore.