Policia e Kosovës ka kryer sot disa kontrolle pranë shkollave në Vushtrri, me kërkesë të Drejtorisë së Arsimit, pas tri vrasjeve të fundit që kanë tronditur qytetin.

Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, ka deklaruar se janë marrë masa shtesë për të garantuar sigurinë e nxënësve, të rinjve dhe qytetarëve. Kontrollet janë zhvilluar në shkollat “Lutfi Musiqi”, “Bahri Haxha” dhe gjimnazin “Eqrem Çabej”, por nuk është gjetur asnjë send i dyshimtë apo kërcënim për sigurinë e mësimdhënësve dhe nxënësve.

“Këto janë masa të vazhdueshme për të garantuar sigurinë dhe për të luftuar çdo formë të dhunës dhe pasigurisë. Do të qëndrojmë të angazhuar për mbështetjen dhe sigurinë e komunitetit tonë”, ka deklaruar Idrizi.

Ngjarjet e fundit në Vushtrri kanë shkaktuar shqetësim në komunitet, pasi brenda pak ditësh janë regjistruar tri vrasje.