Në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA Presidenti Joe Biden e kritikoi Donald Trump për telashet ligjore me të cilat ai përballet, por duket se nuk u ka shpëtuar as vetë.
Djali i tij Hunter Biden ka hyrë gjithashtu në histori si fëmija i parë i një kreu të Shtëpisë së Bardhë që merret si i pandehur.
Ai po hetohet për mbajtje armësh dhe për varësinë nga drogat. Gjatë gjyqit që u mbajt të hënën në sallë ishte e pranishme edhe Zonja e Parë, Xhill Biden për t’i ofruar mbështetje djalit të saj.
Hunter Biden akuzohet se në vitin 2018 ka gënjyer një shitës të liçencuar të armëve, duke bërë deklarata false në aplikimin e tij, se nuk ishte përdorues droge dhe e ka mbajtur armën në mënyrë të kundraligjshme për 11 ditë.
Dy akuzat për deklarata të rreme kanë secila një dënim maksimal deri në 10 vjet, ndërsa akuza e tretë ajo e armëmbajtjes pa leje ka një dënim deri në 5 vite burg.
Megjithëse çështjet penale të Trump dhe Biden nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ato dëshmojnë se si gjykatat janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e këtij viti.
Hunter Biden-i do të përballet me një gjyq tjetër në Kaliforni në shtator për akuzat se nuk ka paguar 1.4 milionë Dollarë taksa. Të dyja çështjet ishin në plan të zgjidheshin me një marrëveshje me prokurorët korrikun e kaluar, në kuadrin e një hetimi shumëvjeçar të bizneseve të tij.