Shifrat, zgjedhjet e 2013, dyfish efekt në krahasim me 2009. Ulje rekord për biznesin, tërhiqen 46 milionë USD depozita.
2 shtator 2013- Bankat kanë ulur ekspozimin e tyre me rreth 100 milionë dollarë, vetëm gjatë muajit korrik. Shifra e frikshme, e para për nga vlera që nga fillimi i kreditimit, është raportuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas statistikave, totali i kredisë në muajin korrik arriti në 547.8 miliardë lekë, rreth 5.487 miliardë USD. Në muajin qershor, totali i kredisë për ekonominë ishte 557.3 miliardë lekë, ose 5.573 miliardë dollarë. Ulja e kreditimit të ekonomisë arrin në rreth 94 miliardë lekë vetëm për një muaj. Ulja e totalit të kredisë për ekonominë tregon se gjatë muajit korrik bankat kanë lëvruar më pak kredi se sa kanë mbledhur nga këstet e kredive të dhëna më parë.
Kjo do të thotë një tërheqje e bankave nga kreditimi i biznesit, më e madhja, të paktën sipas statistikave, që nga viti 2005. Po të analizosh shifrat, shikohet se që nga janari kredia e bankave ka ardhur me rritje. Ka pasur disa lëvizje gjatë muajve prill dhe maj, por shumë të vogla në krahasim me tronditjen e fortë të korrikut. Duke parë që gjatë korrikut nuk ka pasur asnjë zhvillim financiar apo fiskal, e vetmja ngjarje që mund të ketë lidhje me tkurrjen e kreditimit, duket se janë zgjedhjet. Ulja e kreditimit për shkak të zgjedhjeve shikohet nga krahasimi historik i shifrave. Edhe në vitin 2009, muajin pasues të zgjedhjeve, pati një tërheqje të bankave nga kreditimi i ekonomisë.
Në qershor të 2009-s, bankat tërhoqën nga kreditë 53 milionë dollarë më shumë se sa lëvruan. Por, këtë radhë shifra është gati dyfishe. Shifrat tregojnë se janë bizneset ato që kanë pësuar uljen më të madhe të kreditimit. Bankat janë tërhequr më shumë në kreditimin në valutë. Ulja e kredive në valutë për korporatat, pra biznesin e madh, është rreth 86 milionë dollarë në një muaj. Edhe depozitat, pra kursimet e individëve dhe bizneseve janë ulur. Nga bankat vetëm gjatë korrikut janë tërhequr 46 milionë dollarë si depozita. Edhe kjo shifër është më shumë se dyfishi i tërheqjes që ndodhi në qershor 2009, me rreth 24 milionë dollarë.
/panorama/





