Bullgaria ka paralajmëruar të martën në mbrëmje fqinjët e saj jugorë, Greqinë dhe Turqinë, se mund të përballen me përmbytje pasi shirat e rrëmbyera që kanë rënë në këtë vend, pritet të mbushin ujërat e lumenjve Arda dhe Maritsa, të cilat rrjedhin në territoret e fqinjëve.

Alarmi erdhi pasi shërbimet greke të urgjencës po luftojnë për të vënë nën kontroll zjarret më të këqija ndër vite që nisën të hënën pas mesditës.

Niveli i ujit në digën “Ivaylovgrad” në Arda, në malet lindore Rodope ndoshta do të mbushet më shumë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të shirave të pritshme, të cilat parashikohet të vazhdojnë të rrëmbyera në Bullgari.

Arda rrjedh drejt lindjes në Greqi dhe bashkohet me lumin Maritsa në kufirin e Greqisë me Turqinë. Zyrtarët në Sofje thanë se po prisnin rritje masive të vëllimit të ujit në Maritsa, nga përmbytja pranë qytetit bullgar Svilengrad në kufirin turk, me përmbytjet që do të nisnin të mërkurën dhe të enjten.

Autoritetet bullgare kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa komuna pas reshjeve të dendura. Një burrë vdiq të martën, pasi u mor nga ujërat e përmbytjeve në qytetin bullgar Teteven.

Të mërkurën, ashtu siç pritej, ndërkohë që në rrethinat e Athinës luftohej ende me zjarret, në qytetet të tjera të Greqisë, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh në vend, Selanikun, ka pasur përmbytje të shumta, duke krijuar pamjen e një “sulmi” kontraktues në vendin fqinj mes ujit dhe zjarrit.

Në Selanik, uji ka mbushur rrugët dhe ka bllokuar në shumë pjesë qarkullimin e makinave gjatë të mërkurës. Pritet që situata të jetë në këtë nivel ose të përkeqësohet edhe gjatë ditës së enjte, pas vazhdimit të shirave në Bullgarinë fqinje me Greqinë.