Një burrë është arrestuar në Meksikë pasi ka hapur derën e daljes emergjente dhe ka ecur në krahun e avionit, shkruan BBC.

Burri vendosi ta bënte këtë gjë pasi avioni për në Guatemala City priti për orë të tëra në pistë dhe nuk kishte ajër të kondicionuar apo ujë për pasagjerët.

Aeroporti meksikan njoftoi se ai nuk u lëndua dhe më pas iu dorëzua policisë. Megjithatë, pasagjerët e tjerë dërguan një deklaratë të përbashkët në të cilën ata pretendojnë se burri kishte mbështetjen e tyre në planin e tij.

Incidenti ndodhi të enjten e kaluar rreth orës 11:30, tre orë pasi fluturimi i Aeromexico ishte planifikuar të nisej nga Mexico City.

Fluturimi u vonua për shkak të një problemi të mirëmbajtjes së avionit, sipas raportit të incidentit. Në fund, pasagjerët u transferuan në një aeroplan tjetër dhe fluturuan për në Guatemalë.

Nuk dihet ende nëse i riu mbetet në paraburgim apo nëse ai mund të përballet me ndonjë akuzë.

Pasagjerët e panë këtë incident në një këndvështrim tjetër.

“Të gjithë pasagjerët në fluturimin nga Mexico City në Guatemala deklarojnë se pasagjeri në aeroplan hapi derën e daljes emergjente për mbrojtjen e të gjithë pasagjerëve dhe me mbështetjen tonë pasi vonesa e fluturimit dhe mungesa e ajrit në aeroplan ishin të rrezikshme për shëndetin e pasagjerëve”, thuhet në deklaratën e pasagjerëve të tjerë.

“Na shpëtoi jetën”, kanë shkruar ata me firmat e tyre, ndërsa deklaratën e kanë publikuar në rrjetet sociale.