Një udhëtim me avion “ANA” në drejtim të SHBA-së u detyrua që të kthehej në Tokio pasi një pasagjer i dehur i kafshoi krahun një anëtareje të ekuipazhit gjatë fluturimit. “BBC News” raporton se personi që shkaktoi incidentin është një amerikan 55-vjeçar.
Referuar mediave japoneze, pasagjeri i tha policisë se në ato momente kishte marrë një pilulë gjumi dhe se nuk mbante mend se çfarë kishte ndodhur.
Avioni, i cili thuhet se kishte 159 pasagjerë në bord, ishte mbi Oqeanin Paqësor kur ndodhi incidenti, duke bërë që pilotët e tij të vendosnin që të ktheheshin në aeroportin Haneda të Tokios. Linja ajrore tha se burri u dorëzua atje në polici.
Ky është incidenti i dytë që prek “ANA” në ditët e fundit dhe i pesti që përfshin industrinë japoneze të aviacionit brenda disa javësh.
Të shtunën, një fluturim vendas i “ANA” në Japoni u desh të kthehej pas një çarjeje që u zbulua në dritaren e kabinës. Plasaritja u shfaq në pjesën më të jashtme të katër shtresave të dritares që rrethonin kabinën, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në bord.