ITALI – Një avion i Belle Air i linjës Ankona-Tiranë ndërron orar, duhej të nisej dje në orën 13.30, është nisur që në mëngjes, në 08.30. Një nga pasagjerët, që nuk ka arritur të niset tregon se lajmërimin e ndërrimit të orarit ia kishin nisur me email mbrëmë në orën 23.00. “Do të takoj avokatin për të paditur kompaninë”,- thotë Spiro Prebibaj për “Shqiptari i Italisë”.

Emigranti shqiptar që jeton në Porto San Giorgio të Fermos tregon se kompania Belle Air me të cilën do të udhëtonte kishte ndryshuar orarin e udhëtimit, duke e përshpejtuar atë me 5 orë.

“Kjo kompani jo serioze, pa respekt ndaj pasagjerëve të vet ,ndryshon oraret nga dita në ditë pa dhënë informacione, sikur do ishte autobus i linjës Durrës – Tiranë – shfryn dufin Spiro. – A ka institucione në Shqipëri që të marrin masa ndaj drejtuesve të pandërgjegjshëm të kësaj kompanie?.Nuk është hera e parë që një gjë e tillë ndodh me Belle Air. Edhe para një jave një mikut tim i kanë ndërruar orarin e avionit ditën e fundit, pa i dhënë asnjë sqarim,- vazhdon Spiro. Edhe vitin e kaluar më kanë bërë që të nisem nga Tirana për Ankona një ditë para datës për të cilën kisha prerë biletën”.

Këtë radhë Spiro Prebibaj nuk e mbyll  këtë histori vetëm me letrën dërguar gazetës “Shqiptari i Italisë”. Ai i ka nisur një e-mail kryeministrit Berisha “për t’iu ankuar për mungesën e përgjegjësisë të kompanisë ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj”, ndërkohë që po ndjek dhe rrugën ligjore me avokatin e tij për të paditur kompaninë.