Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Gent Cakaj u ka bërë thirrje 350 personave me pasaporta diplomatike të bëjnë dorëzimin e saj. Në një konferencë për mediat, Cakaj tha se këto pasaporta janë në kundërshtim me ligjin.

"Shqipëria ka dyfishin e pasaportave diplomatike krahasuar me vendet e fuqishme evropiane. Kjo nuk është një krahasim për qëllime stilistike, por ky është një fakt. Në shkelje flagrante edhe të këtij kuadri ligjor dhe admistrativ sot në Shqipëri. Ka më shumë se 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike në shpërputhje me ligjin, që hyjnë e dalin si personalitete  me status të veçantë. Deputetë të mandateve të kaluara, gjykatës që nuk e kanë kaluar vettingun, deri te shoqërues të personaliteteve të njohura në Shqipëri. I ftoj publikisht të gjithë të bëjnë dorëzimin e pasaportave diplomatike, sepse pasaporta e tyre diplomatike do të bllokohet dhe do të shpallet e pavlefshme."

Pesha e pasaportës diplomatike të Shqipërisë do të restaurohet medoemos, tha Cakaj, duke shtuar se edhe pesha e pasaportës normale të Shqipërisë do të shtohet duke rritur numrin e shteteve në të cilat do të mund të udhëtohet pa viza.