Finalizohet operacioni policor i koduar "IDENTITETI", në fushën e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës në Durrës.
Policia ka ndaluar një 30-vjeçar ndërsa po ndiqet në gjendje të lirë një punonjëse e gjendjes civile Durrës si dhe ka shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë të cilët kanë tentuar të falsifikonin identitetin e një personi që kishte ndërruar jetë në vitin 1997.
NJOFTIMI I POLICISË
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finaciar në Departamentin e Policisë Kriminale, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit finalizoi operacionin policor “IDENTITETI”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasi R.Y., 30 vjeç, banues në Mertiraj, Vlorë, punonjës i gjendjes civile Vllahinë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Shperdorimi i detyrës" dhe "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave".
Gjithashtu ndiqet në gjendje të lirë shtetasja K.P., punonjëse e gjendjes civile Durrës, për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave".
Në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve V.Z., i cili ka aplikuar për pasaportë me gjeneralitetet e një personi tjetër që kishte ndërruar jetë ne vitin 1997, por nuk e kishin ç'regjistruar nga Regjistri i Gjendjes Civile, si dhe E.K, punonjësi i kompanisë 'Aleat', pasi i ka vënë gjurmët e gishtave për aplikim për pasaportë të personit V.Z.
Materialet hetimore do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durres per veprime të mëtejshme, për veprat penale "Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike", "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", "Shpërdorim të detyrës" dhe "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".





