DURRËS, 19 dhjetor 2014 – Pasditen e sotme, në ambjentet e Klubit të Artit “Sigal”, mësueset dhe njëherazi instrumentistet e talentuara Ermira Peku Zhiti dhe Aida Kazazi Borshi kishin përgatitur një pasdite artistike me fëmijët e liceut “Jan Kukuzeli” dhe jo vetëm. Tingujt e mrekullueshëm në piano dhe violinë të realizuar nga nxënësit e tyre Kristi Prifti, Bjorni Bardhi, Lorena Morava, Tedi Hatellari, Arsi Peku, Eris Hoti, Armela Spahiu, recitimet e vogëlusheve Diora Bulku e Ajni Tahiri, koreografia e Jonisa Famës dhe ekspozita e pikturës e nxënëseve Lorina dhe Sara Elezi emocionuan të gjithë të pranishmit.
Më pas, znj. Kozeta Dyrmishi, menaxherja e Klubit të Artit “Sigal” dhuroi siguracione falas 1-vjeçare për të gjithë fëmijët që ishin pjesë e këtij aktiviteti me rastin e festave të fundvitit. Si gjithmonë ky klub, përveç të qenit një hapësirë e vendosur në dispozicion të të gjithë artdashësve falas, ofroi dhe këtë mundësi për fëmijët e talentuar që spikatën me pjesët që interpretuan. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ermira Zhiti shprehu se "Sot këta fëmijë do të na tregojnë me talentet e tyre, se sa të rëndësishme janë disa gjëra që ne i anashkalojmë si: angazhimi në art, nxitja e fëmijëve tanë për të mësuar si ta ushtrojnë artin dhe kënaqësinë që jep përfshirja në art. Asgjë s'mund t'ia shtojë shkëlqimin këtyre festave, më shumë se sa të dëgjojmë e të shikojmë fëmijët tanë teksa performojnë si të rritur në skenë dhe të na largojnë nga rutina jonë e përditshme me çiltërsinë dhe gjallërinë e tyre. "
Të dyja mësueset, me përkushtimin dhe punën e palodhur nën tingujt e instrumenteve muzikorë i dhuruan shumë ngrohtësi pasdites së dhjetorit.
/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





