Mbi një miliardë besimtarë katolikë në të gjithë botën, kremtojnë ditën e diel Pashkën, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit liturgjik.
Pashka simbolizon “kalimin” nga vdekja trupore dhe frymore, në Jetën e Amëshuar.
Në vigjilje të kësaj feste të shenjtë, at Bernard Caruana, Vikar i dioqezës Tiranë – Durrës, përcjell mesazhin e tij për besimtarët katolikë, duke u ndalur sidomos tek ata që në vigjilje të kësaj feste janë më vulnerabël për shkak të problemeve shëndetësore, privimit të lirisë, vështirësive ekonomike etj.
“Kurajo, jepini vetes suaj kurajo, sepse Krishti u ngjall edhe për ju, sidomos për ju, për të gjithë ne. për këtë arsye dëshiroj t’ju uroj të gjithë juve qytetarëve të qytetit tonë të dashur Durrësit: Gëzuar Pashkët! Qofshin këto Pashkë një fillim i ri me plot shpresë ku çdo pikë e jetës sonë të ndriçohet nga drita e Krishtit të ringjallur”,- thotë ndër të tjera at Bernard Caurana.
Në urimin e tij (të plotë e gjeni në videon e mëposhtme), at Caurana vë tjeksin në rëndësinë që duhet t’i kushtojnë qytetarët gjetjes së shtigjeve të reja apo urave të komunikimit mes njeri – tjetrit.
M.B.