Mbi 1.3 miliardë besimtarë katolikë në të gjithë botën, kremtojnë Pashkën, që do të thotë “Kalim” nga vdekja trupore dhe frymore, në Jetën e Amëshuar. Në vigjilje të kësaj feste të shenjtëm at Bernard Caruana, famulltari i kishës së  Shën Domenikut në Durrës përcjell mesazhin e tij për besimtarët katolikë. Duke u ndalur tek lufta në Ukrainë, por edhe pasojat e pandemisë Covid-19, at Bernardi vë theksin në rëndësinë që ka forca që duhet të gjejmë në vetvete për të përballuar zhgënjimet dhe për të rifituar paqen e brendshme.

“Pashkët na kujtojnë në veçanti se as lufta, as vdekja, as padrejtësia nuk kanë fjalën e fundit. Jemi duke jetuar në një kohë kur bota jonë është plagosur nga një luftë e pakuptueshme dhe njëkohësisht bota jonë nuk ka dalë ende nga errësira e një pandemie globale. Si unë, si ju nganjëherë ndihemi të zhgënjyer para shumë situatave të ndryshme, që nuk na lejojnë që të jetojmë jetën tonë qetësisht dhe në paqe. Festa të tilla, siç mund të jetë Pashka e Jezu Krishtit na mbushin me gëzim, sepse jo vetëm jemi duke kremtuar Pashkët nga ana historike, si një ditë kalendarike, si pushim zyrtar, por sepse dëshirojmë që fitorja e Krishtit mbi vdekjen të ketë një ndikim të veçantë mbi jetën tonë. Ky është urimi më i mirë, më i bukur që mund t’ju përcjell juve besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, por edhe njerëzve me vullnet ta mirë, që paqja vërtet të lindë çdo herë në zemrën tonë në mënyrë që ne të fitojmë mbi ndonjë krizë, mbi ndonjë moment kritik”,– uron at Caurana përmes “DurrësLajm”.

At Caruana bën apel që të dalim nga pasiviteti, sepse kështu nuk mund të ndihmojmë veten tonë për të ndryshuar realitetin që jetojmë.

“Ndonjëherë jemi ne pasiv ndaj një situate që na shkund nga ana shpirtërore dhe nuk bëjmë asgjë për të ndryshuar situatën tonë. Është një apel që dua t’u bëj të gjithë besimtarëve katolikë në vendin tonë, sidomos në Durrës, që të dalim prej varreve tona të zhgënjimeve, të mëkatit, të pasivitetit dhe të prekim me duart tona plagët tona dhe të gjejmë edhe ne shërimin e duhur për të ecur përpara në një jetë të lumtur, sepse zoti n aka krijuar që të jetojmë të lumtur”,- tha ati katolik.